U mbajt Kupa tradicionale e skijimit në Malin Sharr
Manifestimi më i vjetër i skijimit në Maqedoni, Kupa e Sharrit, u mbajt më 24-26 shkurt, në Malin Sharr. Bëhet fjalë për 39-in garim tradicional, i cili është nën përkujdesin e Republikës së Maqedonisë dhe sponsor gjeneral është SHA “Elektranat e Maqedonisë”. Kupa e Malit Sharr u hap nga nga ministrja për Punë të Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila theksoi se Kupa është krenari dhe pasuri kombëtare e Maqedonisë, ku bashkohen miqësitë, fryma garuese dhe dëshira për fitore.
Pjesëmarrësit në Kupën e Sharrit garojnë në dy disciplina, sllallom dhe sllallomi i madh, të cilat u mbajtën në shtegun “Orlova” dhe “Ezerino” në Kodrën e Diellit.
Kryetari i Këshillit organizues, z. Dimitar Tanurkov, theksoi se që nga viti 2009, me ripërtëritjen e manifestimit Kupa e Sharrit, organizatorët tentojnë t’i arrijnë standardet europiane e botërore për një manifestim të tillë kulminant në skijim, i cili e afirmon Maqedoninë në Evropë e më gjerë.
Organizimi i kupës meriton çdo lëvdatë, gjë të cilën e theksuan të gjithë pjesëmarrësit përmes deklaratave të veta. Drejtori i garimit, legjenda e skijimit, Bojan Krizhaj, vlerësoi se Kupa e Sharrit është garë e cila nga viti në vit grumbullon gjithnjë personat më të njohur nga bota e skijimit, me çka kontribuohet për afirmimin më të madh, por edhe në cilësinë e këtij sporti në Maqedoni.
Në edicionin e 38-të të Kupës së Sharrit, morën pjesë 29 skijatorë nga Serbia, Greqia, Sllovenia, Austria, Suedia, Sllovakia, Franca, Shqipëria, Mali i Zi, si dhe pjesëmarrës nikoqirë.
Fituesi, përveç shpërblimit me të holla, fitoi edhe një qen të racës së Sharrit, i cili është pjesë e këtij rituali festiv të manifestimit.