CENTRALI FOTOVOLTAIK “OSLOMEJ 1” FILLOI PRODHIMIN E SASIVE TË PARA TË ENERGJISE DIELLORE
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me përfaqësues të Qeverisë, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrat, si dhe drejtorin gjeneral të ShA ESM Vasko Kovaçevski, sot morrën pjesë në përfundimin e ndërtimit të centralit fotovoltaik “Oslomej”, ku filloi periudha e testimit të pajisjeve plotësisht të montuara.
“Qëllimi i Qeverisë së bashku me institucionet dhe partnerët është që, nga një vend i cili dominohet nga lëndët fosile evropiane, të bëhemi vend që drejtohet kah kapacitetet energjetike që do të përdorin diellin që e kemi me bollëk gjatë gjithë vitit, si dhe erën, ujin, e gazin. Prandaj, me kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë sot, në fillimin e periudhës së testimit të pajisjeve të montuara në centralin fotovoltaik 10MW në pronësi të ESM, i ndërtuar në ish-vendburimet e thëngjillit në KXE “Oslomej”.
“Është vërtetë për t’u respektuar që pikërisht në këtë vend, që është ndotës i dikurshëm i mjedisit, tashmë kemi një kapacitet të gatshëm që nga energjia diellore, të prodhojë energji të pastër dhe të gjelbër”, tha kryeministri Kovaçevski.
Ai theksoi se, përfitimet e këtij investimi, i cili u realizua me një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë të shumëfishta dhe se Qeveria vërtetë tregon përkujdesje për mjedisin.
“Përveç që me prodhimin vjetor të këtij centrali të ri fotovoltaik nga 15 deri në 17 gigavat orë, do të furnizojmë me energji elektrike nevojat e rreth 2800 amvisërive, poashtu bëjmë edhe rikultivimin dhe mbarështimin e 15 hektarëve”, tha kryeministri Kovaçevski, dhe njoftoi se procedura për ndërtimin e Çebrenit është në fazën e dytë, me çka projekti më i rëndësishëm për tranzicionin energjetik të vendit do të arrijë përfundimisht në fazën e realizimit.
“Në kohë krize, ndërmarrim hapa të guximshëm dhe projekte investimi që transformojnë sistemin energjetik dhe kanë për qëllim përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, pavarësinë energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit”, tha kryeministri Kovaçevski.
Vënia në përdorim e këtij centrali fotovoltaik, menjëherë pas përfundimit të periudhës së testimit, nënkupton fillimin e tranzicionit energjetik të KXE “Oslomej” dhe Rajonit të Kërçovës.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaroi se për dhjetë vjet do të kalojmë tërësisht në prodhim të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, gjegjësisht do të ndërpritet prodhimi nga thëngjilli.
“Siç specifikohet edhe në Strategjinë për zhvillim energjetik, të miratuar nga Qeveria në vitin 2019, e cila i mundëson vendit fleksibilitet për t’iu përgjigjur politikave përkatëse për qeverisje në BE, duke çuar në një ekonomi moderne, konkurruese dhe klimatike neutrale deri në vitin 2040”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Drejtori gjeneral i ShA ESM Vasko Kovaçevski, tha se ky është tranzicioni i parë energjetik në rajon, i një termocentrali me qymyr në energji të pastër.
“Me krenari mund të njoftojmë se centrali fotovoltaik Oslomej 1, tashmë po jep kilovatët e tij të parë të energjisë elektrike në sistem dhe me kënaqësi mundemi të konkludojmë se ShA ESM zyrtarisht ka zgjeruar portofolin e burimeve të rinovueshme, dhe tani përveç energjisë nga era, prodhojmë energji elektrike edhe nga dielli”, theksoi drejtori i ESM Kovaçevski.
Marrëveshjet nga njëra anë janë nënshkruar nga ESM, si partner publik dhe nga ana tjetër me “Fortis Enerxhi” nga Turqia për njërin termocentral, dhe me “Solar Pro” nga Bullgaria për tjetrin. Partnerët privat do t’i paguajnë ESM-s një tarifë për partneritetin publik privat në vlerë të përshtatshme për 18% dhe 18.50% të energjisë elektrike të prodhuar në orë. Nga këto investime pritet që shteti të fitojë rreth 1.5 milionë euro në vit.
Qeveria miratoi Strategjinë e re për Zhvillim Energjetik deri në vitin 2040, e cila bazohet plotësisht në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe menjëherë filloi zbatimin e saj. Përmes konceptit për Investime Strategjike, janë siguruar mbi 1000 MW, në projekte për ndërtimin e centraleve fotovoltaike dhe centraleve me erë, edhe atë me kompani të njohura që vijnë nga BE-ja, si “AKUO” nga Franca dhe “WPD” nga Gjermania, të cilat janë kompani prijëse në Evropë për zhvillimin e projekteve me burime të rinovueshme të energjisë.
Lnku deri te video me inserte nga vizita e centralit “Oslomej”
Linku deri te video nga deklarata e kryeministrit Kovaçevski
Linku deri te video nga deklarata e ministrit Bekteshi
Linku deri te video nga përgjigjet e kryeministrit Kovaçevski në pyetjet e gazetarve