CF OSLOMEJ 1 NË KËRÇOVË ËSHTË CENTRALI I PARË DIELLOR NË EVROPËN JUGLINDORE I NDËRTUAR MBI NJË MINIERË TË VJETËR.

Centrali fotovoltaik i ShA ESM i ndërtuar në zonën e KXE Oslomej me kapacitet prej 10 MW është shembulli i parë i tranzicionit energjetik në Evropën Juglindore, në të cilin energjia elektrike do të prodhohet nga dielli përmes paneleve të vendosura mbi minierë të vjetër, të shteruar të thëngjillit. Centrali fotovoltaik në Oslomej, i cili ka filluar prodhimin provë, është i pari në serinë e centraleve që duhet të zëvendësojnë plotësisht kapacitetin ekzistues të instaluar të KXE Oslomej. Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është kombinati minerar energjetik, i cili ka kapacitet të instaluar 120 MW të zëvendësohet me centrale diellore me fuqi të instaluar të barabartë prej 120 MW. Komuniteti Evropian i Energjisë e rekomandon këtë shembull në vende tjera të rajonit ku ndodh tranzicioni energjetik. Centrali fotovoltaik Oslomej 1 tashmë siguron kilovatët e parë të energjisë elektrike në sistem dhe ShA ESM edhe zyrtarisht ka zgjeruar portofolin e vet të burimeve të rinovueshme dhe tani përveç energjisë nga era prodhojmë edhe energji elektrike nga dielli.

Prodhimi i përgjithshëm vjetor i CF Oslomej 1 do të jetë 15-17 GWh, i mjaftueshëm për nevojat e rreth 2800 amvisërive. CF Oslomej 1 është në pronësi të plotë të ShA ESM. Ndërtimi i centralit ka kushtuar 7 milionë euro, një pjesë e të cilave janë mjete vetanake, dhe pjesa tjetër janë linjë kreditore nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila me kushte të favorshme mbështet investimet në burime të rinovueshme.

Projekti i tranzicionit vazhdon me centralin fotovoltaik “Oslomej 2”  10MW, i cili është në proces të përgatitjes së dokumentacionit dhe me punë përgatitore për fillimin e ndërtimit të dy centraleve 50 MW me partneritet publik privat, me kompanitë Solar pro-Bulgari dhe Fortis Enerxhi-Turqi.